Pasi që gjendja në komunën e Deçanit ka filluar që të normalizohet, sot në mbledhjen e Shtabit për Menaxhimin e Emergjencave u mor vendim për ndërprerjen e gjendjes emergjente në këtë komunë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka njoftuar kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili shprehu falënderim dhe mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në tejkalimin e kësaj gjendjeje.
“Shpresoj dhe uroj të mos përballemi me situata të tilla”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.
Vendimi për shpalljen e gjendjes emergjente në këtë komunë u mor më 13 korrik të këtij viti, kur më shumë se 1 mijë e 500 banorë të gjashtë fshatrave u helmuan, sipas dyshimeve të para, nga uji i pijes./Gazeta Sinjali/