image Ndërpritet furnizimi me gaz në Ballkan, shkak një dëmtim në tubacionin bullgar

Rajon

Ndërpritet furnizimi me gaz në Ballkan, shkak një dëmtim në tubacionin bullgar

news image

Pas një avarie në tubacion ka ndaluar transportin e gazit natyror në Rumani, Serbi dhe Hungari. Kështu ka njoftuar operatori i rrjetit të gazit në Bullgari “Bulgartransgaz”.

Sipas tij, avaria ndodhi sot, në orët e mëngjesit në afërsi të fshatit verilindor Vetrinos, ndërsa ekipet po punojnë në zëvendësimin sa më të shpejt të asaj pjese të tubacionit të gazit.

Transporti i gazit natyror në Rumani u ndërpre automatikisht, ndërsa më vonë u rivendos pjesërisht, por furnizimi në Serbi dhe Hungari është pezulluar, tha Bulgartransgaz. Përmes rrjetit të saj, Bullgaria transporton gazin rus në Serbi dhe Hungari, shkruan REL.

Në Bosnje-Hercegovinë, Sarajevogas, shpërndarësi kryesor i gazit për kryeqytetin, njoftoi se furnizimet me gaz do të kufizoheshin ndërsa për konsumatorët që përdorin burime alternative të energjisë furnizimi do të ndërpritet. Kantoni i Sarajevës është gjithashtu konsumatori më i madh i gazit në Bosnje dhe Hercegovinë.

Sarajevogas tha se po punohet në rregullimin e defektit, por se nuk dihet se kur do të normalizohet furnizimi.

Ndërkohë, Serbia aktualisht është plotësisht e varur nga gazi rus.

Ky vend arrin të përmbushë vetëm 13 për qind të nevojave nga prodhimi i brendshëm./GazetaSinjali/