22 vjetori i protestave masive të studentëve të Universitetit të Prishtinës, u shënua me disa aktivitete. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, bëri homazhe tek ish rektorati në Velani, në nderim të ish-rektorit, Ejup Statovci, të cilin e vlerësoi si rektor historik.
Rektori, Marjan Dema, derisa ka uruar të gjithë studentët për vitin e ri akademik , tha se vepra e ish rektorit Ejup Statovci obligon Universitetin e Prishtinës për progres dhe avancim në cilësi, hulumtime e fusha tjera.
“Para 22 vitesh pikërisht nga ky vend nën udhëheqjen e rektorit historik të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, studentët e universitetit ia mësynë drejt ndryshimit pozitiv, ndryshim i cili më vonë ndodhi, prandaj unë kërkoj pikërisht që atë rrugë që e kanë nisur studentët e kësaj gjenerate ta vazhdojnë me dije, me njohuri, me ndryshime pozitive sepse Kosova ka nevojë për ndryshime, studentët dhe universiteti i Prishtinës janë ata që gjithmonë u kanë prirë gjithmonë ndryshimeve pozitive”, tha Dema.
Ndërsa, e bija e ish rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, Anila Statovci, tha ndihet e privilegjuar që babai i saj iu dha krah studentëve për të arritur transformimin kah ndryshimi pozitiv i Kosovës.
“Kam privilegj të madh që babai im qëndroi në atë kohë në ballë bashkë me studentët iu dha krahë atyre dhe arriti transformimin kah ndryshimi pozitiv në Kosovë. Gëzohem shumë që të gjithë studentët dhe të tjerët në shoqërinë tonë e kujtojnë atë ditë për rëndësinë që ka”, u shpreh Statovci.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore e atëhershme organizoi protestat për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i Slobodan Millosheviqit në fillim të viteve të 90-ta.
/Gazeta Sinjali/