image Ndalohet për 48 orë policja që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Pejë

Politikë

Ndalohet për 48 orë policja që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në Pejë

news image

Mëngjesi i sotëm nisi tragjikisht me një aksident me fatalitet në fshatin Novosellë të Pejës, ku humbi jetën një person dhe u lënduan tre të tjerë. Personi që dyshohet se e shkaktoi aksidentin është zyrtarja policore Hanife Lajqi, e cila tashmë ndodhet në QKUK, pasi pësoi lëndime të rënda.

Pas marrjes se tretmanit mjekësor, policja që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin, me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Këtë e ka konfirmuar për Sinjalin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Burimet nga QKUK kanë bërë me dije se gruaja që vdiq në këtë aksident trafiku është Mehrije Muqaj, 50-vjeçare, e cila ndodhej në veturë bashkë me dy familjarë të saj, të cilët po ashtu janë lënduar rëndë dhe ndodhen në spital.

Aksidenti ndodhi në orët e mëngjesit dhe sipas informacioneve të para u shkaktua nga policja Lajqi, e cila dyshohet se nuk ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes dhe është përballur me veturën tjetër të familjes Muqaj.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar të gjitha njësitë përkatëse, ku fillimisht është konstatuar vdekja e viktimës e më pas janë bërë ekzaminimet e nevojshme.

Edhe hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë dalë në vendngjarje për shkak të përfshirjes së zyrtares policore në aksident.

PEJA 4

Lajmin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia dhe Prokuroria Themelore në Pejë.

Në orën 07.45 në fshatin Novosellë të Pejës policia është njoftuar për një aksident trafiku, të përfshira kanë qenë dy vetura. Tre persona janë të lënduar, por më vonë janë bërë katër të lënduar. Një prej tyre ka vdekur, mjeku e ka konstatu vdekjen në vendin e ngjarjes. Tre personat janë dërgu në Emergjencë më pas në QKUK. Gjithashtu në vendin e ngjarjes ndodhet edhe IPK, pasi në aksident ka qenë i përfshirë edhe një zyrtar policor”, tha për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës Fadil Gashi.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/