Gazeta Sinjali të premten raportoi për arrestimin dhe ndalimin e dy mësimdhënësve Liridon Morina dhe Alban Begaj, të shkollës fillore “Salih Bytyçi” në Shkozë të Malishevës, të cilët dyshohen se e keqtrajtuan një nxënës të klasës së shtatë.
Të dyshuarit gjenden në ndalim, ndërsa Prokuroria ende nuk ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tyre. Nga Prokuroria Themelore në Gjakovë kanë thënë për Sinjalin se brenda afatit ligjor do të bëhet kërkesa në gjykatë.
Rastin në Polici e ka denoncuar babai i 12-vjeçarit, i cili ka deklaruar se përderisa fëmija i tij po qëndronte në korridor të shkollës, në katin e dytë, ishte keqtrajtuar dhe rrahur nga dy mësimdhënësit.
Nga Policia në Gjakovë thanë dje për Sinjalin se nxënësi ka pësuar lëndime të lehta trupore në pjesën e fytyrës dhe mbrapa kokës, në pjesën e qafës. Për shkak të lëndimeve, Policia njoftoi se viktima ka marrë trajtim mjekësor në QKMF-në e Malishevës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.