Komiteti Olimpik i Kosovës përmes një konukate ka njoftuar se ka vdekur kampioni i aeronautikës, Hizdri Gubetini.
Presidenti i Komitetit, Ismet Krasniqi, ka thënë se ai ka vdekur në kohën kur po rendiste sukseset në garat e paragllajdizmit në arenën ndërkombëtare.
“Në kohën kur Hizdriu po rendiste sukseset në garat e paragllajdizmit në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar denjësisht aeronautikën dhe vendin tonë, ai na la përgjithmonë”, thuhet në njoftim.
Sipas Krasniqit, ai ishte instruktor, sportist i dalluar, kontribues i sportit dhe inspirim për gjenerata e reja.
“Ndarja e tij nga jeta do të lë mangësi tek sportistët e rinj, për të cilët ishte frymëzim se si me punë dhe përkushtim arrihen sukseset”, tha Krasniqi.
Ndryshe, sportisti Hizdri Gubetini nga Federata Aeronautike e Kosovës në tetor të këtij viti e ka zënë vendin e parë në aktivitetin më të madh botëror që është mbajtur në Turqi, i njohur si “Oludeniz Air Game Festival”.
Sportisti nga Kosova e ka zënë vendin e parë nga 55 pilotë sa kanë marrë pjesë në këtë garë.