Është ndarë nga jeta në moshën 76 vjeçare ish-kampioni i botës me kombëtaren e Anglisë, Martin Peters.
Peters ndërroi jetë mëngjesin e sotëm, teksa ishte duke fjetur. Familja e e të ndjerit dha lajmin e dhimbshëm për të gjithë botën.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë se Martini vdiq qetësisht në gjumë në orën 04:00 të mëngjesit të sotëm. Një bashkëshort, baba dhe gjysh i dashur dhe një njeri i sjellshëm dhe xhentil, jemi të dëshpëruar nga largimi i tij nga kjo jetë, por tepër krenarë për ato çfarë arriti dhe për kujtimet që dha.
Nuk mund të japim informacion më tepër për ruajtje të privatësisë”, shkruhet në komunikatën e familjes Peters.
Peters spikati në vitet 60’ në Angli dhe Europë me ekipin e West Hamit. Ai shënoi golin e dytë në finalen historike të Kupës së Botës në Wembli kundër Gjermanisë Perëndimore, e cila u fitua me rezultatin 4-2 nga “Tre Luanët”.
Me klubin e West Hamit fitoi Kupën e Kupave në vitin 1965. Ai luajti në ekip me kapitenin legjendar Bobi Mur dhe sulmuesin Xheof Hërst, i cili realizoi tripletë në finalen e 1966.