image Ndahen mbi 2 milionë euro për RTK-në

Financa

Ndahen mbi 2 milionë euro për RTK-në

news image

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere e ka miratuar të mërkurën raportin e shpenzimeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), për periudhën janar-mars 2022.

Me kërkesë të Bordit të mediumit publik, komisioni miratoi Programin e Shpenzimeve në shumën prej 2 milionë e 240 mijë eurove, përkundër kritikave të deputetëve së pushtetit për mosrealizimin e planit të të hyrave nga marketingu.

Për raportin e shpenzimeve, drejtues të RTK-së thanë se gjatë kësaj periudhe kanë shpenzuar 93 për qind të buxhetit total prej 2 milionë e 240 mijë eurosh.

Për paga dhe shtesa, shpenzimet janë 2 milionë e 177 mijë e 907 euro që përbën 92 për qind të pagesave të përgjithshme.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, gjatë raportimit theksoi se për dallim prej viteve të kaluara, në këtë periudhë ka pasur kursime të mjeteve buxhetore dhe një performancë më të mirë të RTK-së.

Ai theksoi se kanë ulur shpenzimet për periudhën janar-mars të këtij viti dhe ka kërkuar që gjatë rishikimit të Buxhetit të Kosovës të ndahen mjete shtesë për RTK-në, shkruan kp.

Në këtë fazë konsiderojmë që kemi rreth 79 mijë euro kursime në muaj. Gjithashtu kemi bërë ulje të shpenzimeve në masë të madhe ku nuk kemi asnjë shpenzim për reprezentacion, për dallim prej herëve të kaluara. Po ashtu, kemi bërë edhe tkurrje të shpenzimeve tjera të vogla si përdorimi i veturave zyrtare brenda një perimetri prej 1 km“, tha Boletini.

“Disa menaxherë që kanë qenë me paga shumë të larta janë risistemuar dhe është bërë një ulje e pagës. Gjatë këtij tremujori jemi përballur me disa vështirësi, kryesore ka qenë trokitja në derë nga përmbaruesit privat. Ne kemi rreth 1.6 milionë euro borxhe dhe disa prej përmbaruesve tashmë kanë ardhur t’i kërkojnë paratë, si dhe kërcënimet”, theksoi Boletini.

/GazetaSinjali/