image Ndahen 6 mijë euro për familjen e Blerim Maqastenës që u arrestua nga policia serbe

Kosovë

Ndahen 6 mijë euro për familjen e Blerim Maqastenës që u arrestua nga policia serbe

news image

Këshilltarët komunalë të Podujevës kanë marrë vendim që ta ndihmojnë me 6 mijë euro familjen e Blerim Maqastenës, i cili është arrestuar nga policia kufitare e Serbisë më 12 dhjetor të vitit 2020.

Iniciuesja e seances së jashtëzakonshme ku u mor ky vendim, Tringa Sfishta, ka thënë se arsyeja pse e kanë thirrur këtë mbledhje është për shkak të heshtjes totale nga ana e të gjitha instancave udhëheqëse të shtetit.

“Përveç lajmeve të dhëna nga mediumet tona, nuk u ndërmor asnjë hap në lidhje me këtë arrestim, një heshtje e pashpjegueshme se si nuk u ngrit zëri nga asnjë organ qeverisës duke marrë parasysh që është në pyetje një këshilltar komunal që nënkupton një i përzgjedhur i popullit e që do të duhej të ngrihej zëri dhe të kishte të gjitha organet kompetente mbrapa tij duke e mbrojtur dhe duke bërë çmos që sa më parë të lirohej”, ka thënë Sfishta.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se është mirë që është thirrur kjo seancë, por sipas tij, do të duhej të koordinohej me të gjithë këshilltarët komunalë.

“Ne menjëherë pas arrestimit të Blerim Maqastenës kemi kontaktuar me komandantin e Stacionit policor në Podujevë, po kjo çështje nuk ka qenë në përgjegjësi të këtij stacioni. Kemi kontaktuar menjëherë edhe me familjen e këshilltarit Maqastena dhe si institucione lokale nuk jemi ndalë. Kam kontaktuar edhe me një zyrtar që deri dje ka qenë përfaqësues i komunitetit serb. Ne si institucione lokale nuk mund t’i kryejmë punët e nivelit qendror. Kjo çështje kalon në nivel diplomatik dhe tash më nuk është as në përgjegjësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por kjo çështje tash ka kaluar në Ministrinë e Punëve të Jashmte.

Ne shpresojmë se shumë shpejt do të lirohet dhe Blerim Maqastena të kthehet në shtëpi. Gjendja e tij shëndetësore është e mirë, ai nuk është maltretuar. Ne jemi për të mbështetur çfarëdo ndihme që del nga ky Kuvend. Është mirë që sot të mos dilet vetëm me rekomandim, por të merret vendim dhe ato mjete t’i derdhen menjëherë në xhirollogarinë që e cakton familja”, ka theksuar Bulliqi.

/GazetaSinjali/