Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny, ka thënë të enjten se një rojë e burgut po e zgjon nga gjumi çdo një orë gjatë natës, në atë që përbën torturë, ndërsa ka shtuar se kërkesa e tij për trajtim mjekësor rreth dhimbjeve të forta në shpinë dhe këmbë janë refuzuar me qëllim të “rrënimit” të tij.
Këto pretendime opozitari i ka bërë në dy apele zyrtare adresuar autoriteteve, të cilat ua ka dërguar edhe avokatëve të tij që e vizituan në koloninë penale jashtë Moskës.
Shërbimi Federal i Burgjeve ka njoftuar më herët gjatë së enjtes se gjendja shëndetësore e Navalnyt është stabile dhe e kënaqshme.
Mirëpo avokatët e tij e kanë kontestuar këtë pretendim, duke thënë se e kanë parë klientin e tyre gjatë vizitës së të enjtes në gjendje të keqe dhe në nevojë urgjente për mjekim. /Gazeta Sinjali/