Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pritet që të enjten të pajtohen për një master-plan të ri për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm i Rusisë në shumë fronte në përpjekje për ta parandaluar rrezikun nga Moska, pavarësisht fokusit të ri ndaj Kinës, thanë diplomatët dhe zyrtarët.
Strategjia, e cila është konfidenciale, shkon përtej planeve ekzistuese rajonale të mbrojtjes dhe ka për synim që të bëhen përgatitje për ndonjë sulm në rajonet e Detit Baltik dhe Detit të Zi, përfshirë përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, sulmin nga hapësira ose hakimin e kompjuterëve, raporton Reuters.
“Nëse e keni këtë lloj të konfliktit të madh, do të kërkojë aktivitet në mbarë zonën e operacioneve. Gjëra të ndryshme do të mund të ndodhnin njëkohësisht dhe një gjë e tillë vërtet kërkon planifikim gjithëpërfshirës”, tha një zyrtar i qeverisë amerikane.
Në maj, Rusia grumbulloi rreth 100.000 trupa afër kufirit të saj me Ukrainën, që ishte numri më i madh i ushtarëve që nga koha kur Federata Ruse e aneksoi Krimenë nga Ukraina, sipas zyrtarëve perëndimorë. Në shtator, Rusia përdori robotë të rinj luftarakë në ushtrime masive ushtarake së bashku me Bjellorusinë. Ky aktivitet i ka alarmuar shtetet e Baltikut./GazetaSinjali/