Aleatët e NATO-s kanë njoftuar një investim prej mbi 37 miliardë paundësh për zhvillimin e një rakete të re me rreze të gjatë veprimi, e cila synon të forcojë mbrojtjen e Europës përballë kërcënimeve në rritje.
Projekti, i quajtur Deep Precision Strike, do të financohet nga 12 vende, gjatë 10 viteve të ardhshme. Ai u prezantua në samitin e NATO-s në Ankara.
Sipas autoriteteve britanike, raketa e re do të jetë në gjendje të godasë objektiva ushtarake me saktësi të lartë në një distancë prej rreth 300 kilometrash, me potencial që në të ardhmen rrezja e veprimit të zgjerohet deri në afro 2 mijë kilometra.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se iniciativa do të forcojë bashkëpunimin mes aleatëve europianë dhe do ta bëjë NATO-n më të aftë për t’u përballur me sfidat e sigurisë në vitet e ardhshme. Megjithatë, sistemi i ri nuk pritet të jetë operacional para viteve 2030.
Qeveria britanike theksoi se kërcënimi nga Rusia mbetet i lartë, duke bërë të ditur se avionët e NATO-s janë ngritur mbi 700 herë për të monitoruar avionë rusë pranë hapësirës ajrore të aleancës, ndërsa aktiviteti ushtarak rus pranë ujërave britanike është rritur me 30%.
Edhe ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se sistemi i ri do t’i japë NATO-s mundësinë të godasë objektiva strategjikë dhe qendra logjistike, duke rritur aftësinë parandaluese të aleancës.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje aleatëve të përshpejtojnë furnizimin e Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore, ndërsa Rusia vijon sulmet intensive, shkruan Tch.
Ndërkohë, Kremlini deklaroi se do ta ndjekë nga afër samitin e NATO-s. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se asnjë armë e re nuk do ta ndalojë Rusinë të vazhdojë operacionet ushtarake në Ukrainë deri në arritjen e objektivave të saj, duke shtuar se Moska preferon një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!