image NATO ia rikujton Kosovës se s’mund ta çojë FSK-në në veri: Obligoheni ta respektoni marrëveshjen

Politikë

NATO ia rikujton Kosovës se s’mund ta çojë FSK-në në veri: Obligoheni ta respektoni marrëveshjen

news image

NATO ia ka rikujtuar Kosovës marrëveshjen për të mos e çuar ushtrinë në veri të vendit, pa ia miratuar këtë komandanti i KFOR-it.

Blloku perëndimor ushtarak, përmes zëdhënëses Oana Lungescu deklaroi se “NATO i merr shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës” dhe se po merren “të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet”, siç autorizohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Lungescu shkroi në Twitter për obligimet e Kosovës dhe Serbisë, duke përmendur marrëveshjen e cila ia ndalon Forcës së Sigurisë së Kosovës dislokimin në veri të vendit pa miratimin e KFOR-it.

“Angazhimi i KFOR-it për zbatimin e mandatit të tij është i palëkundur, siç tregohet nga vendosja e fundit shtesë prej 500 trupash”.

“I rikujtojmë edhe një herë të gjitha palëve obligimet e tyre ndaj KFOR-it sipas Marrëveshjes Teknike Ushtarake duke përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurat për Policinë e Kosovës dhe Marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri”, shkroi zëdhënësja e NATO-s.

Këto detyrime, tha ajo, “janë krijuar për të siguruar veprim të koordinuar, për ta shmangur përshkallëzimin + ruajtjen e mjedisit të sigurt”.

/GazetaSinjali/