image Naser Ramadani merr 5 paga në muaj, kaq janë të hyrat vjetore të tij

Kosovë

Naser Ramadani merr 5 paga në muaj, kaq janë të hyrat vjetore të tij

news image

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, nga ky institucion merr çdo vit nga 14 mijë euro. Megjithatë, Ramadani nuk merr vetëm këtë pagë.

Kështu të paktën shihet në deklarimin e pasurisë së Ramadanit në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Përveç pagës që merr nga IKSHPK-ja, Ramadani merr edhe rreth tetë mijë euro nga Universiteti i Prishtinës, mbi 1 mijë euro të tjera nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, rreth 5 mijë e 300 euro nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar dhe mbi 1 mijë e 700 euro nga Ministria e Shëndetësisë (nga Bordi i ShSKUK-së, Ramadani është shkarkuar nga Albin Kurti).

Në të dhënat e tjera, Ramadani ka deklaruar edhe rreth tetë mijë euro nga një kolegj privat dhe 9 mijë e 180 euro nga konsulenca KFOR-NATO.

Në total, të hyrat vjetore të tij sillen mbi 48 mijë euro.

Përveç Ramadanit, pagë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik merr edhe bashkëshortja e tij. Ajo paguhet mbi 10 mijë euro në vit nga instituti, derisa merr edhe rreth 2 mijë euro nga trajnimet.

Ramadani ka rreth 25 mijë euro të kursyera në institucione bankare kurse bashkëshortja e tij gati 36 mijë euro, derisa fëmijët e tij mbi 18 mijë euro.

Ai ka po ashtu edhe kredi në vlerë prej 14 mijë e 300 euro, derisa bashkëshortja e tij u ka borxh institucioneve bankare mbi 32 mijë euro.

Tek pasuritë e paluajtshme, Ramadani ka deklaruar një banesë në vlerë prej 111 mijë e 528 euro, në pronësi të përbashkët, një banesë tjetër në vlerë 60 mijë euro dhe një shtëpi me truall në vlerë prej 150 mijë euro, që i ka në pronësi të përbashkët.

Ndërkohë, si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë Toyota në vlerë prej 11 mijë e 230 euro dhe veturën e bashkëshortes në vlerë 12 mijë e 500 euro.

/GazetaSinjali/