Ministrja e Arsmit, Arbërie Nagavci u ka bërë thirrje komunave të mos pranojnë kuadër tjetër për pozitat e shpallura për psikologë, pasi sipas saj qeveria ka miratuar 520 pozita për psikologë, por, siç thotë ajo, më pak se 1/3 e tyre janë të punësuar.
“Në grantin e arsimit në nivel vendi, qeveria ka të miratuara 520 pozita për psikologë shkollorë. Por, për fat të keq më pak se 1/3 e tyre janë të punësuar… Si Ministri e Arsimit bëjmë thirrje te komunat që në kuadër të përgjegjësive të tyre, këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet, të shpallin konkurset dhe të mos pranojnë kuadër tjetër për pozitat të cilat i kanë të lejuara për psikologë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Sipas Nagavcit, roli i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla është shumë i rëndësishëm.
Ajo e ka mirëpritur shpalljen e konkursit për 25 psikologë në Komunën e Prishtinës dhe e ka ftuar këtë komunë që sa më shpejt të hapë konkursin edhe për së paku 25 psikologë tjerë.
“Komuna e Prishtinës i ka në dispozicion 66 pozita për psikologë e pedagogë, por aktualisht janë vetëm 4 pedagogë dhe rreth 12 psikologë të punësuar në shkollat e Prishtinës”, ka shkruar Nagavci.