image Nagavci thotë se nuk ka arsye të kthehet prapa vendimi për shkarkimin e Veliut

Kosovë

Deklaratë/ Nagavci thotë se nuk ka arsye të kthehet prapa vendimi për shkarkimin e Veliut

news image

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se nuk ka arsye që të kthehet prapa vendimi për shkarkimin e Agim Veliut.

“Mendoj se vendimi që është marrë në lidhje me shkarkimin e Veliut, ka qenë një vendim i marrë në mënyrë të analizuar dhe nuk ka qenë i marrë as për teke e as aty për aty. Kështu që nuk ka asnjë arsye për ndryshim të rrethanave, në mënyrë që vendimi të kthehet prapa”, ka thënë Nagavci për Radio Evropën e Lirë.

Gjatë kësaj jave, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka shkarkuar Agim Veliun nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Ky shkarkim sipas Kurtit erdhi pasi që Veliu kishte përhapur panik te qytetarët për koronavirusin.

Shkarkimi i Veliut ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës që është parti partnere në koalicionin qeverisës, të paralajmërojë mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa gjatë ditës së sotme ka kërkuar nga Kurti që të tërheqë vendimin për shkarkimin e Veliut./Gazeta Sinjali/