Para disa javësh, Gazeta Sinjali publikoi diplomën e studimeve master e ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në Fakultetin Juridik, që iu deshën rreth 10 vite për t’i përfunduar studimet me notën mesatare 6.46.
Publikimin e notës mesatare të studimeve master, Nagavci e ka cilësuar si ilegale, duke thënë se janë munduar ta zmbrapsin dhe intimiduar punën e saj.
“Është e qartë se është përpjekje për të na zmbrapsur dhe intimiduar prej punës sonë gjë që s’do të arrihet asnjëherë. Kushdo që ka vepruar në këtë mënyrë, ka vepruar kundër ligjit, në mënyrë ilegale, të fshehtë, tinëzare, qysh veprojnë për qëllime të tilla, janë munduar ta përdorin si mjet në rastin tim së paku”, tha ajo.
Tutje, Nagavci është shprehur se këto kanë qenë studimet e saj të dyta dhe këtë diplomë nuk e ka përdorur asnjëherë as për aplikim për ndonjë punë.
“Studimet e mia master, kanë qenë studimet e dyta, të cilat i kam zhvilluar gjatë kohës sa kam qenë e punësuar në fushën e arsimit. Kam studiuar master në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Këto studime i kam bërë, thjesht për dëshirën dhe vullnetin tim, në kohën kur kam qenë edhe nënë edhe e punësuar, edhe bashkëshorte. Të gjithë e dimë për gratë shqiptare, nuk është e lehtë dhe nuk ka qenë asnjëherë. Diploma ime e studimeve master, nuk më ka shërbyer dhe nuk e kam përdorur asnjëherë, as për të aplikuar në ndonjë punë dhe për asgjë tjetër” u shpreh Nagavci.
“Por, vetë fakti që janë munduar, kanë hulumtuar në të kaluarën time dhe atë që kanë mundur ta gjejnë në mënyrë ilegale është kjo gjë, që në fakt nuk tregon asgjë. Synimet e tyre kanë qenë të ulëta, por, këto veprime të tyre, neve vetëm na bëjnë më të fuqishëm. Unë më shumë se tre dekada kam punuar në fushën e arsimit dhe kam pasur mundësi të avancimit profesional. Të gjithë ata që më njohin i njohin kompetencat e mija. Dhe ju bëj thirrje të vazhdojnë të gërmojnë sepse unë nuk kam asgjë për të fshehur”, përfundoi ajo.