image Nagavci i quan hipokritë ata që e kritikojnë Hotin e nuk e votojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë - Sinjali

Nagavci i quan hipokritë ata që e kritikojnë Hotin e nuk e votojnë mocionin për rrëzimin e qeverisë

news image

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, i ka quajtur hipokritë disa deputetë që po e kritikojnë Qeverinë Hoti, por që të njëjtit nuk po e nënshkruajnë mocionin e mosbesimit ndaj kësaj qeverie.

“Partitë dhe përfaqësuesit e tyre që bëjnë kritika për keqqeverisje dhe keqmenaxhim të Qeverisë Hoti, i ftojmë të nënshkruajnë kërkesën për mocion dhe pastaj ta votojnë atë. Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të paktën le të na kursejnë nga deklarata e paraqitje joserioze e të pasinqerta në Kuvend, konferenca e studio televizive”, ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje, ajo ka bërë thirrje që të veprohet më shpejt në mënyrë që të largohet kjo qeveri.

“Koha është për veprime konkrete e të shpejta, jo për deklarata të paqëndrueshme e kalkulime partiake”, thuhet në postimin e saj.

Aktualisht, VV-ja ka vetëm 31 nënshkrime për të dërguar mocionin e mosbesimit në Kuvend, përderisa i duhen 40 të tilla. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin