image Nagavci deklarohet sërish për ngacmimin seksual ndaj një të miture, paraqet planin se si do të parandalojë dhunën në shkolla - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107629

Të shëruar

105200

Të vdekur

2250

Nagavci deklarohet sërish për ngacmimin seksual ndaj një të miture, paraqet planin se si do të parandalojë dhunën në shkolla

news image

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, edhe njëherë ka reaguar lidhur me incidentin e fundit të ngacmimit seksual në afërsi të shkollës fillore “Faik Konica”, shkruan Gazeta Sinjali.

Ajo përmes një shkrimi në Facebook thotë se ka kërkuar trajtim me profesionalizëm të këtij rasti.

Ka përmendur modulet që MASHTI ka ndërmarrë lidhur me raste të tilla, për më tepër, thotë se edukimi seksual është pjesë e kurrikulave të reja dhe mbi këtë bazë, MASHTI ka zhvilluar edhe materiale didaktike.

Nagavci, ka premtuar po ashtu se me programin qeverisës, është planifikuar rritja e numrit të psikologëve dhe të shërbimeve mbështetëse në shkolla.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Mbrojtja e fëmijëve është e drejtë e tyre dhe përgjegjësi shtetërore.

Duke e marrё pёr shkas rastin e ngacmimit seksual ku ishin të përfshirë disa fëmijë, si ministre e arsimit shpreh shqetёsimin tim dhe angazhimin e pёrbashkёt pёr adresimin dhe parandalimin e dhunёs dhe pasojave tё saj!

Me kёtё rast, ftoj tё gjitha organet pёrgjegjёse qё tё ndёrmarrin tё gjitha masat ligjore pёr trajtimin e rastit me kompetencё dhe profesionalizёm tё lartё!

Vlerёsoj çdo punё tё pёrbashkёt dhe angazhim afatgjatё pёr vetёdijesim dhe krijimin e hapёsirave tё sigurta publike, sidomos pёr vajza!

Pёr pjesёn e pёrgjegjёsisё dhe detyrimeve tё shёrbimeve arsimore, ne do tё marrim masat tona institucionale, duke synuar qё tё forcojmё edukimin e fёmijёve, krijimin e ambienteve  tё sigurta qё mbёshtesin shёndetin dhe zhvillimin e fёmijёve tanё! Po ashtu, tё rrisim ndjenjёn e pёrgjegjёsisё dhe llogari-dhёnien!

Pёr hirё tё tё gjithё qytetarёve që me të drejtë janë shqetësuar, mё lejoni t`ju japё informacionet e pёrmbledhura pёr fushёn tonё tё pёrgjegjёsisё dhe veprimet qё kemi marrё dhe do t`i marrim nё vazhdim!

MASHTI sipas përgjegjësive dhe hierarkisë  institucionale i ka adresuar politikat pёr parandalim dhe referim tё dhunёs nё shkolla. Pra, MASHTI është hartuese e politikave arsimore dhe mbikëqyrëse e zbatimit të tyre. Në lidhje me dhunën në shkolla,  fillimisht ёshtё  sanksionuar dhuna me infrastrukturën ligjore dhe si tematikë e ndjeshme, dhuna është bёrё pjesë integrale e kurrikulave arsimore në të gjitha nivelet e arsimit. MASHTI gjithashtu është inicuese dhe bashkëhartuese (me Këshillin për Mbrojtje dhe Drejtësi për Fëmijët) e Rregullores nr. 20/2013 për Protokollin për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Shkolla, e cila përcakton përgjegjësitë e institucioneve në nivel qendror dhe lokal për adresimin e kësaj problematike. Kjo rregullore ofron qasjen ndërinstitucionale dhe multidisiplinare të parandalimit dhe referimit të dhunës (tё tё gjitha llojeve), ngase vetë dhuna ёshtё pasojё e faktorëve të ndryshëm nё nivel individual, familjar, shoqëror, por edhe shkollorë në disa raste. Problemet familjare, sociale dhe ekonomike janë shpesh tё ndёrlidhura dhe me dhunёn nё shkolla. Prandaj, tё gjitha instancat shtetёrore duhet tё punojnё brenda roleve dhe mandateve ligjore për adresimin dhe ndёrgjegjёsimin e komunitetit arsimor dhe shoqёror pёr parandalim e kёtyre rreziqeve.

MASHTI e ka tё  zhvilluar modulin e incidenteve në shkolla, modul ky i integruar në sistemin e menaxhimit të informatave në arsim (SMIA), duke synuar konsolidimin e sistemit të  raportimit dhe të referimit të rasteve në mënyrë permanente dhe efikase.

Pas protokollit, u hartua udhëzuesi për zbatim  dhe manualet didaktike se si tema e dhunës të trajtohet me efikasitet në procesin edukativo-arsimor. Janё zhvilluar edhe politikat dhe materialet didaktike pёr mbrojtjen e fёmijёve nё internet, meqё gjithsesi ёshtё nevojё e kohёs. Krahas pakos së materialeve ligjore dhe didaktike, janё mbajtur takime regjionale, takime me DKA, trajnime dhe pastaj sesione informative gati në të gjitha komunat, me drejtorë të të gjitha shkollave, ashtu që të familjarizohen me detyrat e përgjegjësitë që i kanë, sepse veprimi nё parandalim dhe reagim ndaj rasteve bie nё fushёveprimin e institucioneve komunale. 

Pёr shkollat ёshtё eseciale qё tё parandalojnё dhunёn nёpёrmjet  edukimit cilёsor dhe trajtimit tё kёsaj teme me qasje kurrikulare, ndёrkurrikulare dhe ekstrakurrikulare, pra edhe pёrtej orёve mёsimore, nё bashkёveprim me komunitetin e prindёrve, nxёnёsve dhe tё organizatave tё specializuara nё kёtё fushё. Gjithashtu duhet tё raportojnё me cilёsi,  siç e kёrkon sistemi ynё i raportimit dhe referimit tё dhunёs. Shkolla cilёsore janё ato qё janё zbatuese tё politikave arsimore dhe tё vёmendshme ndaj problemeve qё e sfidojnё pjesёmarrjen aktive tё fёmijёve nё shkollim, mbrojtjen e tyre  dhe zhvillimin e plotё, dhe jo ato tё cilat vёnё prioritet paraqitjen e shkollёs dhe si zgjidhje vlerёsojnё fshehjen e rasteve.

Meqё kishim njё rast ngacmimi seksual,ndonëse jo i izoluar, mё lejoni t`ju njoftoj qё edukimi seksual ёshtё pjesё integrale e kurrikulave tё reja dhe mbi atё bazё MASHTI i ka zhvilluar materialet didaktike, udhёzuesit pёr edukimin seksual,  pёr mёsimdhёnien me tё gjitha grupmoshat e arsimit parauniversitar dhe kanё ndodhur e janё duke ndodhur trajnimet nё kёtё fushё.

Personeli i shkollave ka nevojë për mbështetje akademike dhe profesionale të vazhdueshme, ngase stafi shkollor ripërtrihet dhe jo të gjithë i kanë informatat e duhura për mënyrën e trajtimit të rasteve në nevojë. Prandaj, do tё vazhdojmë ta ofrojmë zhvillim profesional.

• Në programin tonё qeverisёs kemi planifikuar rritjen e numrit të psikologёve dhe tё shёrbimeve mbёshtetёse nё shkolla. Psikologёt, pedagogёt dhe shёrbyesit social kanё rol vital dhe duhet angazhuar pёr mirёqenien e nxёnёsve.

• Do tё rrisim mbikёqyrjen e zbatimit tё politikave pёr mbrojtjen e fёmijёve nёpёrmejt shёrbimeve tё inspektoriatit duke kёrkuar qё secili punonjёs arsimor tё jetё nё nivel tё detyrёs institucionale.

• Sipas  planit dinamik, do tё mbёshtesim DKA-tё dhe shkollat pёr tё ushtruar rolin e tyre proaktiv ndaj parandalimit të të gjitha llojeve të dhunёs.

• Do tё rrisim bashkëpunimin me prindër pasi edukimi është përgjegjësi e përbashkët e shkollave dhe familjeve.

• Do tё sigurojmё rritjen e raportimit dhe referimit tё dhunёs dhe do tё kёrkojmё pёrgjegjёsi nga tё gjitha instancat brenda dhe jashtё sistemit arsimor, kur dihet se parandalimi dhe reagimi ndaj dhunёs u takon shumё sektorёve nё tё njёjtёn kohё.

MASHTI ёshtё nё bashkёpunim tё ngushtё me institucionet e pёrfshira pёr tё trajtuar rastin nё fjalё. Kemi vёmendjen e plotё pёr mirёqenien afatgjatё tё fёmijёve.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: