image Myslimanët festojnë Kurban Bajramin mes rritjes së çmimeve të ushqimeve

Botë

Myslimanët festojnë Kurban Bajramin mes rritjes së çmimeve të ushqimeve

news image

Miliona myslimanë anembanë globit festuan Kurban Bajramin, një nga festat më të mëdha të kalendarit islamik që përkon me ritet e fundit të pelegrinazhit vjetor të Haxhit në Arabinë Saudite.

Në disa vende, përfshirë Afganistanin, Iranin dhe shtetet e Azisë Qendrore, Kurban Bajrami u festua më 9 korrik. Por në pjesë të tjera të globit, duke përfshirë Pakistanin dhe Indonezinë, shtetin më të madh mysliman në botë, Bajrami u festua më 10 korrik.

Shumë myslimanë festojnë festën katërditore duke therur bagëtinë [kurbanin] dhe duke e shpërndarë mishin mes të afërmve, fqinjëve dhe të varfërve.

Por, derisa lufta e Rusisë në Ukrainë i ka bërë çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën, shumë njerëz thanë se nuk mund të përballonin therrjen e bagëtisë, ritualin fetar për Kurban Bajram.

Në Afganistan, normalisht ka një nxitim për blerje të kafshëve para festës së Kurban Bajramit. Por këtë vit, rritja globale e çmimeve të ushqimit dhe shkatërrimi ekonomik pas marrjes së pushtetit nga Talibanët e kanë bërë ritualin e therrjes së kurbanit, të pamundshëm për shumë afganë, shkruan REL.

Në Ukrainën lindore, dhjetëra myslimanë ukrainas u mblodhën më 9 korrik për të kremtuar Kurban Bajramin në xhaminë në Kostiantynivka, xhamia e fundit operacionale e mbetur në territorin e kontrolluar nga ukrainasit në Donbas.

Vetëm pak banorë vendas ishin të pranishëm, pasi lufta ka detyruar shumë të ikin në rajonet perëndimore të vendit.