image Myftiu Tërnava kërkon 500 mijë euro dëmshpërblim për shkak se një person e akuzoi për vjedhjen e 300 mijë markave

Kosovë

Gjykata Themelore/ Myftiu Tërnava kërkon 500 mijë euro dëmshpërblim për shkak se një person e akuzoi për vjedhjen e 300 mijë markave

news image

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka caktuar për nesër në orën 13:30 seancën,  ku kryeimami i Kosovës, Naim Tërnava ka paditur, paditësin e tij Emin Behrami, i cili më 11 prill 2019 kishte ushtruar kallëzim penal ndaj shefit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), me pretendimet se në vitin 2002 i kishte vjedhur 300 mijë marka gjermane.

Përfaqësuesi i autorizuar i myftiut Tërnava, Nasuf Hasani, në një prononcim për Gazeta Sinjali ka treguar se kanë ngritur kallëzim penal ndaj Emin Behramit, i cili në vitin 2002 ishte ligjërues në Medresenë ‘Alaudin’, ku sipas Hasanit, Behrami ka shantazhuar myfitun Tërnava dhe se tani kërkojnë dëmshpërblim prej 500 mijë eurosh.

‘’Ne e kemi bërë një padi me vlerë prej 500 mijë euro, kjo është bërë domethënë padi për shpifje, në momentin kur ai (Emin Behrami), ka bërë publike kallëzimin penal ndaj myftiut, edhe ne i kemi bërë një kallëzim penal ndaj tij, për kallëzim të rrejshëm, prandaj po e lypim atë shumë mjetesh’’, ka thënë Nasuf Hasani për Gazetën Sinjali.

Hasani ka theksuar se i padituri ka shantazhuar myfitun Tërnava vazhdimisht duke i bërë edhe kallëzim penal të pabazuar në fakte.

‘’Behrami, në një farë forme ka shantazhuar myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, përveç asaj e ka bërë një kallëzim penal të pabazuar se kinse Naim Tërnava në vitin 200, ka vjedhur 300 mijë marka’’, ka thënë Nasuf Hasani për Gazetën Sinjali.

Gjithashtu, sipas Hasanit, Behrami ka paditur myftiun pa pasur ndonjë provë për të mbështetur padinë e vetë.

‘’Ai (Emin Behrami), e ka paditur myftiun pa pasur ndonjë provë për tu mbështetur dhe domethënë Emin Behrami, sipas informacioneve ky ka qenë mësimdhënës në Medresenë Alaudin dhe për shkak të disa problemeve të tij, e kanë larguar nga puna dhe tash ky e ka një lloj hakmarrje ndaj myftiut’’, tha përfaqësuesi ligjor Hasani.

Në vitin 2002, Naim Tërnava ishte drejtor i medresesë ‘’Alaudin’’, dhe sipas tij nuk kishte autorizim që të ruante objektin apo që të tërhiqte para nga banka./ Gazeta Sinjali/