image Mustafa: VV i ka votat, nëse besojnë që Kosova humbi pse s’po veprojnë për Demarkacion dhe Zajednicë

Politikë

Mustafa: VV i ka votat, nëse besojnë që Kosova humbi pse s’po veprojnë për Demarkacion dhe Zajednicë

news image

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe kryeministri Kurti gjatë takimit të djeshëm në Bruksel janë përplasur për çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe. E këtë tensionim të situatës e ka komentuar ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa ka thënë se kishte marrë zotim me shkrim nga Komisioni Evropian që Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë.

Si Kryeministër në vitin 2015 e kam marrë zotimin me shkrim nga zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, znj. Mogerhini se Asociacioni sipas pikëpamjeve të BE-së nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë. Derisa është në fuqi Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, Kosova e ka për obligim ta themelojë (por pa kompetenca ekzekutive).  Këtë pra e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Mustafa për Express.

Gijthashtu, Mustafa tha se nëse Kurti dhe partia e tij kanë argumente se Kosova ka humbur 8 mijë e 200 hektarë në korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, pse s’po ia kthejnë Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës deklaroi se një Asociacion me ndryshime kushtetuese për të cilin ka folur i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të ishte i papranueshëm për Kosovën.

Gjykata Kushtetuese ka gjykuar se Asociacioni duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së Parë, e arritur në vitin 2013 dhe e ratifikuar me Ligj nga Kuvendi. Gjykata ka konstatuar se Asociacioni është bërë pjesë e rendit juridik të Kosovës.  Gjithnjë e kam parasysh se Gjykata i referohet një Asociacioni që nuk ka fuqi ekzekutive dhe që nuk është pushtet i tretë. Jo për Asociacion me ndryshime kushtetuese për të cilin është shprehur z. Lajçak. Për një Asociacion të tillë nuk është  diskutuar asnjëherë dhe ai do të ishte i papranueshëm për Kosovën”, ka deklaruar Mustafa.

Ai tha se Kosova duhet të tërhiqet nëse Serbia dhe Bashkimi Evropian kërkojnë që Asociacioni të marrë kompetenca të komunave përmes ndryshimeve kushtetuese.

Mustafa tha se Serbia para gjashtë vitesh ishte pajtuar që Asociacioni të krijohet, kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se statusi i tij është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Në qoftë se Serbia dhe BE tani kërkojnë që Asociacioni të jetë pushtet i tretë (të marrë kompetenca të komunave), përmes ndryshimeve kushtetuese, do të kishte arsye të plotë që Kosova të tërhiqet nga ky obligim përmes shfuqizimit të Ligjit, për arsye se në asnjë rast Kosova nuk ka marrë obligim për ta ndryshuar Kushtetutën e për t’i krijuar hapësirë një Asociacioni çfarë tani e parapëlqen Serbia. Duhet përkujtuar se në vitin 2015 Serbia ishte pajtuar që Asociacioni të konsiderohet i themeluar kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës shprehet se Statuti i tij është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

/GazetaSinjali/