Sot u nënshkrua marrëveshja mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, për krijimin e qeverisë. Marrëveshja erdhi pas dakordimit që posti i kryetarit të Kuvendit t’i kalojë LDK-së.
Përmes një konference të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se në krye të kuvendit do të jetë ajo ose ai person që Lidhja Demokratike e Kosovës i ka besuar të jetë në atë pozitë.
“Ne sot kemi mbledhjen e këshillit, kemi kryesinë, aty do të vendosim për kryetar të Kuvendit. Parimisht ne nga fillimi kemi thënë që kryetar i Kuvendit do të jetë ajo ose ai të cilit ose cilës, Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka dhënë besimin’’, u shpreh Mustafa.
Ai gjithashtu theksoi se sa i përket çështjes së presidentit janë pajtuar që të mos jetë pjesë e marrëveshjes, e për këtë do të flasin me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti atëherë kur të vie koha.
“Sa i përket çështjes së presidentit, ne jemi dakorduar me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, që të mos jetë pjesë e marrëveshjes’’, ka thënë ai.
Nesër në ora 11:00 është paraparë të mbahet seanca për votimin e qeverisë së re. /Gazeta Sinjali/