Kandidati për kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, një ditë para se të mbahet Kuvendi i LDK-së për kryetar të saj ka reaguar duke thënë se pas zgjedhjes së kryetarit të kësaj partie, ai me tre kundërkandidatët e tij do të jenë sërish miq, bashkëpartiakë dhe kolegë, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa përmes rrjetit social në Facebook, tha se kundërkandidatët për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Anton Quni janë “fund e krye LDK”.
“Unë, Lumiri, Lutfiu, Antoni, etj. jemi LDK, fund e krye! Nesër në mëngjes jemi kundërkandidatë në garën më demokratike në politikën kosovare. Nesër në mbrëmje jemi miq, bashkëpartiakë dhe kolegë të rreshtuar pas kryetarit të ri. Që nga dita e parë e LDK-së, 23.12.1989, na ka udhëhequr uniteti, solidariteti, dialogu, vizioni! Ashtu siç pritej, në medie u fol shumë, u munduan të na bëjnë pjesë të grupeve e skemave imagjinare. Por, ne ishim, jemi dhe do të jemi gjithmonë të bashkuar rreth LDK-së”, ka shkruar ai.
Ai po ashtu theksoi se heshtja e cila po mbizotëron ende brenda LDK-së duhet thyer shpejtë.
“Ja kemi borxh të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë brezave të saj”, tha ndër të tjera Mustafa./GazetaSinjali/