image Musliu: Qeveria Kurti ua ka bërë ferr jetën qytetarëve

Politikë

Musliu: Qeveria Kurti ua ka bërë ferr jetën qytetarëve

news image

Në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar seanca e jashtëzakonshme në të cilën po debatohet për gjendjen me pandeminë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, iu kundërpërgjigj ministrit të Financave, Hekuran Muratit, i cili i quajti hipokrizi deklaratat e deputetëve të PDK-së, të cilët nuk po mbanin maska mbrojtëse.

“Shumë e lehtë të thuhet që në ambiente të brendshme të kërkohen maskat me rigorozitet. Por po mendoj që kjo pikërisht e vërteton atë që e thash. Këtu ka shumë hipokrizi, i gjithë grupi parlamentar i PDK-së nuk keni maska, asnjëherë s’keni. Kjo është hipokrizia që po flas”,  tha Murati.

Ajo tha se hipokrizia më e madhe është një qeverisje e udhëhequr nga Albin Kurti, që sipas saj, u ka bërë qytetarëve jetën ferr, raporton Gazeta Sinjali.

“Lëreni fjalët dhe përvishuni punës… Keni gati një vit që keni marrë udhëheqjen e vendit dhe kohën më të madhe e keni kaluar duke planifikuar përndjekjen e oponentëve tuaj politikë. Keni dështuar në hartimin e planit qeverisës… Ju e keni gojën plotë për të akuzuar qeveritë e kaluara. Sot, vetë gënjeshtra, propaganda dhe agresiviteti me të cilin ju denigruat secilin, janë kthyer në pengesën tuaj më të madhe, të cilën nuk po arrini ta kapërceni dot. Mjeti që ju ngriti në pushtet, do të jetë mjeti që do t’ju thyejë qafën politikisht, sepse qytetarët nuk janë aq të paditur siç i keni menduar. Ata nuk kanë harrur premtimet tuaja”.

“E meritoni titullin e kryegënjeshtarit, por për fat të keq gënjeshtrat tuaja po rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe sigurinë tonë kombëtare. Ministri doli disa herë këtu dhe na quajti hipokritë. Po a ka hipokrizi më të madhe sesa një qeverisje e udhëhequr nga Albin Kurti, një qeverisje e cila e kishte gojën plotë premtime, mirëqenie e mirëjetesë në këtë vend, ndërsa sot ua ka bërë qytetarëve jetën ferr. Sot, më shumë se kurrë frustrimi gjithëpopullor është në kulm, prandaj, ju do të përgjigjeni nëse jo sot, nesër gjithsesi, i nderuari ministër”, tha jo./GazetaSinjali/