Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, i është drejtuar kryeministrit, Albin Kurti, me disa pyetje gjatë seancës së sotme të kuvendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Ajo e ka pyetur Kurtin se a e di çmimet e produkteve bazike ushqimore të një familjeje, shumën që marrin familjet me asistencë sociale, por dhe dy milionët e humbura nga thesari i shtetit.
“A e di sa kushton një litër vaj në Kosovë?
Sa kushton një litër qumësht?
Sa kushton një bukë dhe sa kushton një kilogram sheqer?
Sa është vlera monetare që marrin familjet me asistencë sociale në Kosovë?
A janë kthyer ende 2 milionë eurot thesarit të Kosovës që ju vodhën Qeverisë së Avdullah Hotit?”, janë pyetjet që Musliu i ka drejtuar Kurtit.
Deputetja gjithashtu ka theksuar se qeveria nuk mund të flasë për besim kundrejt saj, përderisa Serbia mund të hyjë në Kosovë sikur vendi ynë të ishte një fshat në Serbi.
“Për çfarë besimi na flet kjo qeveri që çdo mëngjes i mbush faqet portaleve me punësimet e familjarëve, për çfarë besimi na flet kur Serbia mund hyjë e të dalë në vendin tonë sikur Kosova të ishte një fshat në rrethinën e Kralevës.” /Gazeta Sinjali/