image Murtezaj: Qytetarët obligohen të deklarojnë të hyrat shtesë, jo pagat

Financa

Murtezaj: Qytetarët obligohen të deklarojnë të hyrat shtesë, jo pagat

news image

Personat fizikë dhe juridikë që realizojnë të ardhura nga aktivitete të ndryshme, përveç pagës mujore, obligohen të paguajnë detyrimet tatimore për ato aktivitete, tha për REL, drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj.

Në Kosovë ekziston Ligji për të ardhurat personale, në bazë të të cilit, personat që realizojnë fitime janë të obliguar të deklarojnë tatimin mbi to.

Së fundi, ATK-ja ka dizajnuar një formular të ri dhe të veçantë për deklarimin e të hyrave, pasi, sipas Murtezajt, ka raste që persona të ndryshëm i shmangen tatimit, duke mos deklaruar të hyrat tjera, përveç pagës.

Murtezaj tha që secili individ që realizon të ardhura, të cilat nuk janë përjashtuar nga tatimi, apo të ardhura, të cilave nuk u është paguar tatimi nga paguesi i tyre, atëherë individi – pra pranuesi i të ardhurave – është i detyruar të paguajë vetë tatimin.

Për sqarim për opinionin, nëse punëtorët kanë një punëdhënës dhe punëdhënësi i tyre ka paguar tatimin në pagë, ata nuk janë të detyruar që të bëjnë deklarim shtesë”, tha ai.

Ndërsa ata të cilët, kanë një punëdhënës dhe në të njëjtën kohë realizojnë edhe të ardhura të tjera, si për shembull, nga shitja e pasurisë, të hyra nga qiraja, apo nga një punëdhënës sekondar, atëherë normalisht që detyrohen që të deklarojnë ardhurat vjetore”, shtoi Murtezaj.

Deklarimi vjetor i të ardhurave duhet të paraqitet në ATK deri më 31 mars, çdo vit.

Sipas Ligjit në fuqi, tatimi në të ardhura personale vjetore ngarkohet në katër shkallë.

  • Për të ardhura deri në 960 euro në vit, nuk paguhet tatim fare
  • Për të ardhurat nga 960 euro deri në 3,000 euro, në vit paguhet 4 për qind e shumës mbi 960 euro
  • Për të ardhurat nga 3,000 deri në 5,400 euro, paguhen 81.6 euro, plus 8 për qind e shumës mbi 3,000 euro
  • Për të ardhurat mbi 5,400 euro, paguhen 273.6 euro dhe 10 për qind e shumës mbi 5,400 euro

Të ardhurat bruto nënkuptojnë të gjitha të ardhurat që janë pranuar vërtet, apo në mënyrë konstruktive nga qiratë, përdorimi i pasurisë së paprekshme, të ardhurat zëvendësuese, fitimet kapitale që rezultojnë nga shitjet e pasurive kapitale, duke përfshirë pasurinë e tundshme, të patundshme dhe letrat me vlerë, fitoret në lotari dhe fitoret në lojërat e fatit e të tjera.

Nga tatimi në të ardhura personale përjashtohen rrogat e përfaqësuesve të huaj diplomatik e konsullor dhe personeli i jashtëm i ambasadave apo Zyrave të Ndërlidhëse të shteteve të huaja në Kosovë, pagat e personelit të jashtëm të misioneve si ai i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (KFOR), ai i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) e tjera.

/GazetaSinjali/