Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj komenteve se vendimi i sotëm i Qeverisë Kurti bie ndesh me ligjin.
Sipas Muratit, ky vendim nuk prek pagat e prokurorëve e gjykatësve dhe si i tillë nuk është i kundërligjshëm.
“Vendimi ul pagat e qeverisë, nuk prek ato të sistemit të drejtësisë, dhe nuk bie ndesh me ligjin, përkunder disa pretendimeve të bëra sot gjatë ditës. Kushdo që dëshiron të komentojë mbi ligjshmërinë e vendimeve, duhet së pari të sigurohet që ligji të cilit i referohet të mos jetë i shfuqizuar”, ka shkruar Murati në Facebook.
Vendimi për zvogëlimin e pagave u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, e cila shfuqizoi vendimin e qeverisë së kaluar që bëri rritjen 100% të pagave.
“Propozoj që të shfuqizohet vendimi i Qeverisë me të cilin janë përcaktuar pagat për nivele të ndryshme. Ato kthehen në lartësinë e mëparshme. Ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese”, tha sot Kurti. /Gazeta Sinjali/