Qeveria e Kosovës me pakon për përballje me inflacionin ka paraparë ndarjen e shtesave për punëtorët e sektorit publik me nga 50 euro nga muaji shtator.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se nuk do të ndajnë mjete shtesë drejtpërdrejt për punëtorët e sektorit privat, por siç tha ai, do t’i mbështesin punëdhënësit që t’u rrisin pagat punëtorëve të këtij sektorit.
“Fitimi i korporatave dhe bizneseve është më i lartë se që ka qenë ndonjë herë dhe për këtë arsye ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat për punëtorë”, tha Murati.
Sa i përket sektorit privat, ministri Murati tha se çka kanë dashur të bëjnë si qeveri, ka qenë që të sigurojnë se ka një rritje permanente të pagave në sektorin publik.
“Pra, t’i mbështesim punëdhënësit që t’u rriten pagat në mënyrë permanente. Sepse ne si qeveri kemi dhënë një mbështetje, por ajo ka qenë një mujore. Pra, në sektorin privat rritja e pagave duhet të vij nga punëdhënësi. Dhe këtë punëdhënësit kanë hapësirë, ne këtë e shohim nga niveli i qarkullimit edhe nga mbledhja e tatimit në fitimin e korporatave. Fitimi i korporatave është më i lartë se që ka qenë ndonjë herë, pra ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat. Dhe ne si qeveri do të insistojmë në këtë”, tha ministri i inancave.