Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku sot ka vizituar ngrohtoren e qytetit “Termokos”, ku ka bërë të ditur se me iniciativën e asambleistëve të LDK-së në Prishtinë, ndërmarrja Termokos ka marrë ndihmë kapitale prej 5 milionë eurove.
Kësaj deklarate të Adbixhikut i ka reaguar ministri i Financave, Hekuran Murati i cili tha se “financimi për zgjerim të rrjetit” të kapacitetit të ngrohjes qëndrore në kryeqytet ekziston.
Murati publikoi në Facebook një postim të tij para një viti dhe postimin e sotëm të Abdixhikut, ku ai njofton për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë.
“Qeveria tash e një vit ka siguruar financimin në vlerë prej 80 milionë euro për Termokosin. Projekti parasheh rritjen e kapacitetit të ngrohjes qëndrore përmes energjisë së ripërtërishme, si dhe zgjerimin e rrjetit në shumë lagje të Prishtinës. Me fjalë tjera, financimi për zgjerim të rrjetit ekziston. Por projekti po mbahet i bllokuar sepse nuk po ratifikohet marrëveshja ndërkombëtare si rezultat i bllokadës nga opozita në Kuvend, e për ratifikim duhen 80 vota. Pra, nëse është dikush që po bllokon projektet madhore, janë pikërisht partnerët e koalicionit qeverisës në Prishtinë”, shkroi ministri.
“Andaj, në vend se të bëjë akuza të pabaza drejt Qeverisë, deputeti Abdixhiku bën mirë të kërkojë nga partnerët e tij të koalicionit që të votojnë për ratifikimin e marrëveshjes që ia siguron 80 milionë euro Termokosit dhe qytetarëve të Prishtinës”, shtoi Murati.