Ka dështuar seanca e paraparë të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”.
Kjo për shkak të mungesës së deputetes Mimoza Kusari –Lila. Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj tha se e njëjta ka kërkuar shtyrjen e seancës përmes një parashtrese, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Më 9 nëntor 2021 kemi pranuar një kërkesë, që ka kërkuar shtyrjen e seancës për rrethana personale”, njoftoi gjykatësi Kurtaj.
Përveç Kusari – Lilës, për këtë rast po akuzohen edhe tre ish-ministrat tjerë të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq. Të akuzuar në këtë rast janë edhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka.
Seancat e radhës u caktuan për 8 dhe 17 dhjetor 2021. /GazetaSinjali/