image Vuçiq: Pavarësia e Kosovës çështje e kryer për Amerikën, zgjidhja njohja reciproke

Kosovë

Vuçiq: Pavarësia e Kosovës çështje e kryer për Amerikën, zgjidhja njohja reciproke

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pavarësia e Kosovës është punë e kryer për Amerikën, ndërsa zgjidhja është njohja e ndërsjellë.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, Vuçiq ka thënë se në lidhje me Kosovën, Shtetet e Bashkuara e kanë arritur atë që kishin dashur qysh më 2008, prandaj pozita jonë në SHBA është më rëndë se në vende të tjera, citojnë mediat e Beogradit, presidentin serb.

Vuçiq ka rikujtuar se në atë kohë qeveria e Serbisë pas shpalljes së pavarësisë të Prishtinës lëshoi vetëm një komunikatë se “SHBA njohën pavarësinë e Kosovës, kjo nuk do të ndryshojë, kërkojmë të luftojmë për interesin tonë”.

Ai po ashtu deklaroi se u ka thënë autoriteteve amerikane se Serbia nuk pranon që shqiptarët e Kosovës të fitojnë të gjitha e serbët asgjë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe rezultatit të mundshëm përfundimtar nga ky dialog, Vuçiq ka rikujtuar propozimin për ndryshimin e kufijve dhe kundërshtimin në të cilin hasi kjo ide.

“Bashkimi Europian, sidomos Gjermania, është kundër ripërcaktimit të kufirit, ndërsa SHBA janë të hapura dhe nuk u intereson çfarë do të jetë marrëveshja. Ata nuk janë të entuziazmuar me këtë ide, meqë ata e kanë njohur Kosovën në këta kufij, por do të dëshironin vetëm të arrihet njohja e ndërsjellë”, ka theksuar Vuçiq dhe ka shtuar se pozita e Serbisë është më e rëndë në SHBA se në vendet e tjera për shkak të pikëpamjeve të ndryshme rreth kësaj çështjeje.

Presidenti serb,Vuçiq ka thënë se ai nuk do të dëshironte të fliste për rrjedhën përfundimtare të dialogut, sepse, sipas tij në atë rast vetë serbët do të dëshironin të largohen nga negociatat, që tash askush nuk e do.

Ai ka shtuar ndërkaq se gjatë gjashtë-shtatë vjetëve të fundit në Serbi është shfaqur një forcë e re “që disa përpiqen ta shpjegojnë se si në Kosovë ka pak interesa serbe”, ka deklaruar Vuçiq. /Sinjali