Të mërkurën u shkatërrua një ndër laboratorët më të mëdhenj të drogës në Kosovë. Drejtoria kundër trafikimit më narkotikë zbuloi laboratorin brenda një mulliri ku bëhej kultivimi i kanabisit, në Shirokë të Suharekës. Aksioni rezultoi me arrestimin e gjashtë personave dhe konfiskimin e 32 kg drogë, që kapin vlerën e 1 milionë e 500 mijë euro.
Gjashtë të dyshuarit, në mesin e tyre edhe pronari i mullirit Milazim Voci, do të dalin sot para Gjykatës, në orën 13:00, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj.
Katër nga të dyshuarit janë nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Kosova.
Sipas prokurorisë, “nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri – tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të.
Ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit.”
Milazim Voci, A.R., M.V., E.M., F.M., A.M., dhe E.D., dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale:
“Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres se kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Gazeta Sinjali ka publikuar pamje ekskluzive të drogës që prodhohej në këtë mullirin ‘special’ të Suharekës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.