Pas rritjes së numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja të infektimit, Ministria e Shëndetësisë ka rritur numrin e ekipeve e vaksinimit nëpër komunat e vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti.
Hoti tha se janë shtuar edhe 216 ekipe të vaksinimit dhe ky numër do të vazhdojë të rritet me pranimin e mbi 1 mijë profesionistëve të rinj shëndetësorë.
“Po, fillimisht kanë qenë 98, pastaj janë bë 298, tash janë 314. Janë shpallë rezultatet për 1116 profesionistë shëndetësorë për shërbime shëndetësore që do të angazhohen, prej tyre janë 85 inspektorë sanitarë. Ndërsa, përveç kësaj shifre, do të rekrutohen për Kujdesin Parësor në Komuna edhe 422 të tjerë (mjekë dhe infermierë) dhe do të fuqizohen edhe ekipet e vaksinimit”, tha ai.
Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi po apelon te qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19, si formë e vetme për mbrojtje nga sëmundja e koronavirusit.
Bazuar në raportin e kësaj ministri, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në vend kanë vdekur 32 persona dhe janë infektuar edhe 1 mijë e 612 të tjerë./Gazeta Sinjali/