Pas vdekjes së një pacienti në Klinikën e Kardiokirurgjisë disa orë pas operacionit, i cili ishte vlerësuar i sukseshëm, ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.
“Inspektorati Shëndetësor, në bazë të kompetencave ligjore është në fazën e mbledhjes së të dhënave lidhur me rastin në fjalë. Vlerësimi i përgjegjësive u takon organeve kompetente, andaj jemi në pritje të raporteve zyrtare të këtyre organeve”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë.
Për çdo gjetje nga institucionet në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë do të merren masat sipas ligjeve në fuqi, ka thënë ministria.
“Presim, po ashtu që institucionet e drejtësisë dhe Oda e Mjekëve të Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas kompetencave dhe ligjeve në fuqi”, thonë nga MSH-ja.