image MSh nuk ua vazhdon kontratat infermierëve që u punësuan gjatë pandemisë

Shëndetësi

MSh nuk ua vazhdon kontratat infermierëve që u punësuan gjatë pandemisë

news image

Rreth 360 infermierëve, të cilit janë punësuar gjatë pandemisë për nevojat e klinikave të ShSKUK-së dhe QKMF-ve, në trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus, nuk do t’u vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë, raporton Gazeta Sinjali.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, me kontrata për gjashtë muaj punë.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë (MSH) i ka njoftuar se këto kontrata nuk do t’u vazhdohen më.

Njoftimin për këtë vendim, ata e morën në e-mail nga Agim Aliu, i cili ka shkruar në emër të sekretarit të kësaj ministrie, Naim Bardiqit.

Sipas tij, ky vendim është marrë për shkak të mungesës së fondeve.

“…Për shkak të mungesës së fondeve nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, kontratat nuk mund të vazhdohen”, thuhet në këtë njoftim.

Infermierët që kanë qenë të punësuar përmes këtij projekti kanë reaguar përmes një letre të cilën ia kanë dërguar ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe sekretarit Bardiqi.

Ata kanë kërkuar që kontratat e tyre të vazhdohen.

Sipas tyre, nëse MSh ka pasur buxhet për 422 infermierë të punësuar në qendrat e vaksinimit, është dashur të sigurohet buxhet edhe për ta, ose të njëjtëve t’u vazhdohen kontratat, meqë kanë shërbyer në periudhën më të vështirë, duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre.

Ne si staf kërkojmë mirëkuptimin dhe shpresojmë ta rishikoni vendimin tuaj dhe një herë sepse ju në një kohë shumë të vështirë pandemie po i largoni nga puna 360 punëtorë shëndetësor që ju kanë dal përkrahje në ditët më të vështira në përballje me pandeminë globale COVID-19”, thuhet ndër të tjera në letrën e infermierëve./Gazeta Sinjali/