image MPJ e Palestinës: Kosova ta anulojë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem

Kosovë

MPJ e Palestinës: Kosova ta anulojë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem

news image

Ministria e Punëve të Jashtme e Palestinës ka reaguar sot ndaj zyrtarizimit të njohjes së ndërsjellë Kosovë-Izrael, duke e përshkruar këtë akt si zhgënjyes dhe duke i bërë thirrje Kosovës ta anulojë vendimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem, transmeton Gazeta Sinjali.

“Marrëveshja që Kosova e nënshkroi me fuqinë okupuese (Izraelin) dhe deklarimi i synimit të saj për ta hapur ambasadën në Jerusalemin e okupuar është një hap që bie ndesh me gjithçka që Kosova po përpiqet të bëjë për ta bindur botën ta njohë atë”, tha Ministria e Jashtme palestineze në një deklaratë.

“Kjo na tregoi, si shtet i Palestinës, dhe grup arab dhe islamik, se ajo [Kosova] e ka injoruar ligjin ndërkombëtar, legjitimitetin ndërkombëtar dhe rezolutat e saj dhe kanë bërë shkelje të qartë dhe haptazi, gjë që do ta bënte të vështirë për çdo vend të mendonte ta njihte atë”.

Palestina i bëri thirrje Kosovës që së pari të mendojë për interesat e saj dhe angazhimin për legjitimitetin ndërkombëtar dhe të drejtën ndërkombëtare në mënyrë që të bëhet anëtare e pranuar e bashkësisë ndërkombëtare dhe rendit botëror, raporton agjencia palestineze e lajmeve Wafa.

Ministria e Jashtme i bëri thirrje Kosovës “të rishikojë shpejt këtë hap dhe ta korrigjojë këtë veprim të gabuar nëse dëshiron të japë një shembull të angazhimit të saj për ligjshmërinë ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare”./Gazeta Sinjali/