Ministria e Punëve të Jashtme përmes një njoftimi në faqen e tyre u bën thirrje shtetasve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet drejt Kinës, për shkak të virusit vdekjeprurës i quajtur “coronavirus”.
Autoritetet kineze të shëndetit publik kanë bërë të ditur se deri më tani janë konfirmuar 7,711 veta të infektuar në Kinë, ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë coronavirus-i është përhapur edhe në të paktën 15 shtete të tjera të botës, përfshirë Zvicrën, Francën dhe Gjermaninë.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës fton të gjithë shtetasit kosovarë që ndodhen jashtë vendit, të evitojnë daljet nëpër vende ku ka dyshime për ekspozim ndaj këtij virusi, meqë shqetësimi më i madh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është bartja e tij prej njeriut tek njeriu”, thuhet në njoftimin e tyre.
Po ashtu në njoftimin e tyre thuhet se ftohen të gjithë shtetasit kosovarë që mund të jenë të bllokuar në Kinë, apo kanë simptoma të infeksionit nga ky virus (pavarësisht vendndodhjes), të kontaktojnë Ambasadën më të afërt për ndihmë./Gazeta Sinjali/