image MPB: Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut janë të dyshuar për sulmin terrorist në Vjenë

Rajon

MPB: Tre shtetas të Maqedonisë së Veriut janë të dyshuar për sulmin terrorist në Vjenë

news image

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut njoftoi sot se Policia e Austrisë, përmes Europolit, tek MPB-ja ka dorëzuar një kërkesë për bashkëpunim dhe informacione në lidhje me sulmin që ndodhi mbrëmë në Vjenë, raporton Gazeta Sinjali.

Nga kjo listë e policisë austriake, që është dorëzuar tek policitë e disa vendeve të ndryshme, është konfirmuar se tre persona, përveç nënshtetësisë austriake kanë edhe nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut.

“Bëhet fjalë për K.F (i lindur në Modling, Austri), A.G (i lindur në Saint Polten, Austri) dhe U.A (i lindur në Vjenë, Austri). Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar policor pranë MPB-së, menjëherë është vendosur në dispozicion të kolegëve nga Austria dhe në mënyrë intensive bashkëpunojmë për këtë rast”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndërsa, tutje thuhet se është vendosur komunikim i drejtpërdrejtë i kryeministrave të vendeve përkatëse mes Zoran Zaev dhe Sebastian Kurz.

“Kryeministri Kurz ka shprehur falënderim për kryeministrin Zaev për solidaritetin dhe ndihmën e treguar. Kryeministrat kanë shprehur gatishmëri ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në lidhje me sulmin terrorist, nëse autoritetet austriake kanë nevojë”, thuhet sipas MPB-së. /Gazeta Sinjali/