Jose Mourinho mbrojti nderin e tij gjatë konferencës së sotme për shtyp, duke këmbëngulur se “nëse ka një shembull të përsosur profesionalizmi, jam unë”.
Portugezi është nën presion te Roma, pas eliminimit nga Kupa e Italisë në fazën çerekfinale nga rivali lokal, Lazio.
Mourinho e filloi konferencën e tij për shtyp me një dëshmi të karakterit të tij.
“Unë kam qenë këtu për dy vjet e pesë muaj dhe jam i vetmi person këtu që nuk kam humbur asnjë seancë stërvitore në atë kohë. Për mua nuk ka sëmundje apo humor të keq. Për dy vjet e gjysmë nuk kam bërë asgjë të keqe, madje as disa javë më parë kur të gjithë ishin të sëmurë”, tha fillimisht ai.
“Disa muaj më parë më duhej një ditë për një situatë që nuk kam pse ta shpjegoj. I thashë menaxherit Pinto dhe vendosëm që e nesërmja e derbit të ishte një ditë e mirë. Isha larg Romës për 15 orë. Më duket qesharake ta justifikosh këtë. Nuk pranoj në asnjë mënyrë që të vihet në dyshim profesionalizmi dhe dinjiteti im, zemra për këtë punë. Nëse ka një shembull të përsosur profesionalizmi, jam unë. Nuk kam humbur asnjë ndeshje në mbi 20 vjet të karrierës sime”, shtoi “Special One”.
Mourinho nuk ishte në disponim për t’u ndalur te disfata kundër Lazios në Kupën e Italisë, duke këmbëngulur se fokusi tashmë është plotësisht te ndeshja e së dielës kundër Milanit.
“Ndeshja ka përfunduar dhe ne kemi humbur. Disa gjëra i bëmë mirë, disa jo aq mirë. Ne i analizuam të gjitha për të përmirësuar lojën tonë. Tani le të mendojmë për ndeshjen e radhës, ndeshja e së mërkurës ka përfunduar”, tha ai.
Për ndeshjen kundër Milanit, i cili aktualisht gjendet në vendin e tretë në Serie A, Mourinho tha: “Ne përballemi me një ekip që po luan për titullin, i cili e fitoi atë dy vjet më parë. Natyrisht duket se distanca në pikë mes tyre dhe Juventusit dhe Interit nuk është një hendek i lehtë për t’u mbyllur, por është një ekip që ka humbur disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të dëmtimeve. Është një skuadër që sigurisht dëshiron të fitojë pas humbjes në Kupë, e cila ishte një objektiv për ta. Ata do të vënë gjithçka në këtë ndeshje, ata i dinë vështirësitë tona, duket se të gjithë i njohin. Ndoshta disa gazetarë apo komentues nuk i njohin. Të gjithë i dinë vështirësitë tona”.
Ndeshja mes Milanit dhe Romës do të zhvillohet në “San Siro”, me fillim prej orës 20:45.