Roma ka triumfuar në finalen e turneut debutues të UEFA-s, të Ligës së Konferencës, të zhvilluar në kryeqytetin shqiptar në Tiranë.
Jose Mourinho arriti të triumfojë në stilin e tij, me një pjesë të dytë mbrojtëse e cila ishte e çeliktë.
‘Giallorosët’ fituan minimalisht 1-0 ndaj skuadrës holandeze Feyenoord me golin e vetëm të shënuar nga Nicolo Zaniolo në minutën e 32-të.
Ai gol i Zaniolos doli të ishte vendimtari i ndeshjes pasi rrjetat mbeten të paprekura për pjesën e mbetur të ndeshjes.
Feyenoord e dominoi totalisht ekipin italian në pjesën e dytë në kërkim të barazimit të rezultatit, megjithatë portieri Rui Patricio ishte në formën më të mirë të mundshme i cili e mbajti portën e paprekur në fund të ndeshjes, për t’ia sjellur trofeun evropian ekipit të tij.
Me këtë triumf, Roma bëhet fituesi i parë ndonjëherë në Ligën e Konferencës, pas inaugurimit të këtij trofeu nga UEFA.
Me triumfin e sotëm, Roma gjithashtu arrin një trofe për herë të parë në 14 vite, që nga triumfi i fundit në Kupën e Italisë më 2008, ndërkohë që gjithashtu ky është titulli i parë madhor evropian në histori të Romës.
Jose Mourinho bëhet trajneri i parë që i fiton të gjitha kompeticionet e UEFA-së në futboll, me Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe tani Ligën e Konferencës.