Xhejlane Mulliqi, bashkëshortja e Artrit Mulliqit, një asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës është shpërblyer me një pozitë të re të punës nga pushteti që udhëhiqet prej LVV-së.
Ajo është zgjedhur psikologe në një nga shkollat e këtij qyteti që drejtohet prej kryetarit Shpejtim Bulliqi, raporton Paparaci.
Kësisoj, LVV-ja po vazhdon t’i rahatojë familjarët dhe personat që janë të afërm me këtë subjekt politik.
Vetë Mulliqi e ka pranuar punësimin e gruas së tij në institucionin arsimor, teksa ka mohuar ndikimin për rekrutimin e saj në atë konkurs.
Megjithatë, përveç gruas së tij, në Komunën e Podujevës është punësuar edhe motra e tij, për të cilën ai thotë se nuk ka qenë asamblist i LVV-së në kohën kur ajo e ka marrë kontratën.
“Punësimi është i vërtetë, por motra punon në arsim prej 2011, masanej një kohë ka qenë e larguar prej pune, tani një konkurs ka hyrë prapë. Edhe gruaja është e punësuar me një gjysmë-norme, por me konkurs të rregullt. Nuk e di si ka ndodhur. Një kohë ka pauzuar. Nuk e di saktë, ose 2019 ose 2020, është në shkollë fillore”, tha ai në një përgjigje për Paparacin.
Po ashtu, ai tha se në konkursin kur është pranuar gruaja e tij nuk ka pasur shumë konkurrencë.
“Gruaja ka gjasa që është punësuar në vitin 2021-2022. Në kohën kur është punësuar motra s’kam qenë asamblist, ndërkohë gruaja u punësu masi jam zgjedhur asamblist. Në konkurs konkurrenca ka qenë shumë e vogël, për 4 pozita kanë konkuru 7-8 persona, kështu që nuk ka pasur ndonjë send”, shtoi ai.
Paparaci ka kontaktuar edhe me drejtorin e Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Fetahu, por i njëjti nuk ka dhënë detaje për këtë çështje.