image Mosrespektimi i masave antiCOVID në veri, reagon Agim Bahtiri

Kosovë

Mosrespektimi i masave antiCOVID në veri, reagon Agim Bahtiri

news image

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka reaguar ndaj masave të reja antiCOVID të vendosura mbrëmë nga Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

Bahtiri përmes një statusi në Facebook ka thënë se këto masa janë joadekuate dhe për pasojë nuk do të prodhojnë efekte të duhura për mbrojtje nga COVID-19.

“Masat e djeshme të Qeverisë së Kosovës për izolimin e vendit gjatë vikendit janë masa jo adekuate, pa vizion dhe për pasojë nuk do të prodhojnë efekte të duhura për mbrojtje nga COVID-19.  Këto masa të marra pa planifikim të duhur, e që u tha se duhet të zbatohen 3 orë pasi janë marrë, tregojnë se Qeverisë së Kosovës i ka humbur rruga në parandalimin e përhapjes së COVID-19, infektimet nga i cili po rriten si pasojë e pa aftësisë së kësaj qeverie për ta menaxhuar situatën. Zaten duhet me qenë shumë optimist për të pasur pritje më të mëdha nga një qeveri jolegjitime, për të cilën nuk ka votuar populli”, ka shkruar Bahtiri.

Tutje, i pari i Mitrovicës së Jugut ka shprehur shqetësim, pasi që masat e Qeverisë nuk po gjejnë zbatim edhe në komunat veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se mosshtrirja e autoritetit shtetëror edhe në pjesën veriore të Kosovës, po jep sinjale se Qeverisë nuk i intereson sovraniteti i Republikës së Kosovës.

“Sidoqoftë, nëse kjo Qeveri beson se vendimi për izolim të vendit ka sukses, atëherë pse nuk po e zbaton vendimin edhe në komunat veriore të Kosovës, ku subjektet afariste atje po e vazhdojnë sot veprimtarinë e tyre normalisht dhe mund të jetë burim potencial i potencial i përhapjes së COVID-19.  Me mos-veprim për shtrirje të autoritetit shtetëror edhe në pjesën veriore të Kosovës, Qeveria faktikisht në mënyrë indirekte po jep sinjale si nuk i intereson sovraniteti i Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Bahtiri./Gazeta Sinjali/