Vladimir Putin ftoi homologun e tij kinez, Xi Jinping, të premten për të bërë një vizitë shtetërore në Rusi pranverën e ardhshme, ndërsa Moska kërkon të thellojë lidhjet e saj me Kinën në mes të izolimit ndërkombëtar në rritje për luftën në Ukrainë.
Duke folur me Xi përmes një videokonference, Putin tha se lidhjet e Rusisë me Kinën janë “më të mirat në histori”, duke shprehur dëshirën e tij për të zgjeruar bashkëpunimin ushtarak dhe duke ftuar Xi të vizitojë Moskën.
Pa përmendur luftën në Ukrainë, Putin tha se ai ndante të njëjtat pikëpamje me Xi “përballë presionit dhe provokimeve të paprecedentë nga perëndimi”.
“Ne po ju presim, i nderuar zoti Kryetar, i dashur mik, ne po ju presim pranverën e ardhshme në një vizitë shtetërore në Moskë,” i tha Putin Xi-t në një deklaratë hyrëse tetë minutëshe të transmetuar në televizionin shtetëror.
Xi, nga ana tjetër, tha se vendi i tij ishte i gatshëm “të rrisë bashkëpunimin strategjik me Rusinë” dhe të vazhdojë të jetë “partner global për të mirën e popujve të vendeve tona dhe në interes të stabilitetit në mbarë botën”.
Udhëheqësi kinez nuk përmendi një vizitë në Moskë, sipas përkthimit zyrtar në rusisht. Xi tha se vendi i tij do të mbajë qëndrimin e tij “objektiv dhe të drejtë” për luftën në Ukrainë.
Takimi u ndoq nga afër nga analistët për ndonjë shenjë se Kina po rivlerësonte mbështetjen e saj ndaj Putinit ndërsa lufta e Rusisë lëkundet.