Blerim Vela, shefi i Kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, ia ka numëruar kryenegociatorit serb, Petar Petkoviqit, shkeljet që Serbia ua ka bërë ndër vite marrëveshjeve të Brukselit.
Vela ka thënë se se me votën kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia ka shkelur nenin 4 të Marrëveshjes së Brukselit dhe se duhet të ndëshkohet.
“Petre, mos leh! Dje Serbia shkeli nenin 4 të Marrëveshjes së Brukselit që përcakton qartë: ‘Serbia s’do ta kundërshtojë pranimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare’. Vota juaj kundër aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës duhet të penalizohet. Kur bëhet fjalë për marrëveshjet e mëhershme, lista e shkeljeve të Serbisë është shumë e gjatë: vula doganore, diplomat universitare, IBM dhe lëvizja e lirë, letërnjoftimet dhe targat e veturave, dokumentet e kadastrit, energjia”, ka shkruar Vela në Twitter në përgjigje.
Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Serbia e ka shkelur dy herë Marrëveshjen e Ohrit për më pak se 24 orë.
Sipas Osmanit, ndërhyjra në zgjedhjet në Kosovë dhe lobimi apo votimi kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, janë dy pikat e marrëveshjes që janë shkelur nga Serbia.
“Serbia bëri dy shkelje të Marrëveshjes Bruksel-Ohër në më pak se 24 orë: ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet në Kosovë (në kundërshtim me nenin 2), lobim dhe votim kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (në kundërshtim me nenin 4). Marrëveshje e re, por e njëjta Serbi e vjetër.” – ka shkruar Osmani në Twitter.