image “Morëm atë që kërkonim…”, talebanët deklarojnë fundin e luftës

Botë

“Morëm atë që kërkonim…”, talebanët deklarojnë fundin e luftës

news image

Talebanët kanë deklaruar fundin e luftës në Afganistan pasi morën nën kontroll edhe Pallatin Presidencial në Kabul, në një kohë kur forcat perëndimore po përpiqen që të evakuojnë qytetarët e tyre nga aeroporti.

“Sot është një ditë e madhe për të gjithë popullin afgan dhe muxhahedinët. Jemi dëshmitarë të frytit të përpjekjeve dhe sakrificës 20-vjeçare. Faleminderit Zotit, lufta ka mbaruar në vend”, tha për Al Jazeera zëdhënësi i zyrës politike të talebanëve, Mohammad Naeem.

Talebanëve iu deshën vetëm disa javë që të merrnin pushtetin, ndërsa forcat qeveritare, të trajnuara dhe financuar prej vitesh nga Shtetet e Bashkuara kapitulluan direkt, në disa raste edhe pa luftuar fare.

Naeem tha se së shpejti do të bëhet i qartë regjimi i ri në Afganistan, duke shtuar se talebanët nuk kërkojnë që të jetojnë në izolim dhe ka bërë thirrje për marrëdhënie ndërkombëtare paqësore.

“Kemi arritur atë që kërkonim, që është liria e vendit dhe pavarësia e njerëzve tanë. Nuk do të lejojmë njeri që t’i përdorë tokat tona si shënjestër për të tjerët dhe nuk duam që të dëmtojmë të tjerët”, tha ai.

/Gazeta Sinjali/