Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot të vendoset reciprociteti ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky vendim tashmë ka filluar të zbatohet në tërë territorin e Kosovës. Në një video të publikuar në rrjetet sociale shihet se si zyrtarët policor në kryeqytet ia largojnë një veture targat me regjistrim të Serbisë.
Kujtojmë se Ministria e Punëve të Brendshme më herët kërkoi nga qytetarët të mos i shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje të Mitrovicës, kjo sipas tyre për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë.
“Njëkohësisht, njoftojmë qytetarët të cilët qarkullojnë në dalje nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, se mund të shfrytëzojnë targat e Serbisë, por se në hyrje dhe qarkullim brenda Republikës së Kosovës duhet që të pajisen me targa të përkohshme të Republikës së Kosovës, sipas vendimit të sotshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së./Gazeta Sinjali/