Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media të mbajtur sot, nga zyreja e kësaj partie ka drejtuar akuza ndaj Policisë së Kosovës, duke pretenduar se këta të fundit janë shfrytëzuar politikisht gjatë aksionit të realizuar në Ndërrmarrjen Publike Banesore.
Siç deklaron Molliqaj, Policia përgjatë kontrollit në NPB më 19 korrik, kishte lokalizuar përfaqësuesit e ndërmarrjes dhe në dy katet e objektit kishin qëndruar pa kamera të sigurisë dhe pa përfaqësues të këtij institucioni.
Molliqaj tutje ka kërkuar nga Policia, të tregojnë se me çfarë vendimi i kanë ndalë kamerat e sigurisë, duke theksuar se kjo nuk është shkelje e rastësishme.
“Është hera e parë që Policia e Kosovës ka bërë shkelje të tilla në institucione publike dhe private. Kjo nuk është shkelje e rastësishme, është intervenim politik. Shkyçja e kamerave të sigurisë është e vërtetuar, tashmë ka dalë në media”, ka thënë Molliqaj në konferencë.
“Pyetja është e thjeshtë, ka çu Policia bombë, dokumenta apo drogë. Apo çfarë kanë vendos Policia e Kosovës në mënyrë të fshehtë, me ndalje të kamerave”, ka shtuar tutje Molliqaj.
Ai ka thënë se ky proces, ka nisur nga burri i asistentes personale të kryeministrit Albin Kurti.
“Ky e ka nisur këtë proces, policia ka vepru, pastaj është zingjiri, pas burrit të asistentes së kryeministrit, kemi pasur reagim të Vetëvendosjes”, ka shtuar tutje i pari i PSD-së.