image Molliqaj: Nuk ngrita paralele mes Qeverisë dhe regjimit të Millosheviqit, por Kurti i quajti "ekstremistë" serbët

Politikë

Molliqaj: Nuk ngrita paralele mes Qeverisë dhe regjimit të Millosheviqit, por Kurti i quajti “ekstremistë” serbët

news image

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka dalë me një sqarim pas deklaratës së dhënë mbrëmë se ” ka ngjashmëri trajtimi i serbëve të veriut me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit”.

Përmes një postimi në Facebook, kreu i PSD-së mohoi të ketë ngritur paralele mes Qeverisë së Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit.

Ai tha se kryeministri i vendit, Albin Kurti i ka quajtur “ekstremistë” personat që nuk i kanë ndërruar ende targat nga ato ilegale serbe në RKS.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Sigurisht se nuk ka paralele midis asnjërës Qeveri të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit.

Në atë kohe ne kemi jetuar nën segregacion, kurse serbët në Kosovë kanë të drejta të patjetërsueshme, madje përtej demografisë.

Ndjehem i detyruar të sqarohem për ata që nuk kanë arritur ta shohin emisionin tim në Pressing T7, dhe kanë marrë copëza të shkëputura.

Në emision e kam tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit, pra depolitizimit të serbëve në diskursin publik të kryeministrit. Kur flitet për serbët e manipuluar ose për disa serbë të manipuluar, sikur harrohet që shumica dërmuese e serbëve kanë votuar dhe po e përcjellin Listën Serbe. Kur themi kështu, jemi shumë afër kërkesës për “serbin e ndershëm”, siç kërkohej dikur “shqiptari i ndershëm. Ja një shembull: kryeministri Kurti i quajti ekstremistë 9 mijë veta që nuk i kanë ndërruar ende targat. Sigurisht se nuk pajtohemi me këtë veprim të tyre. Veçse a mund të mjaftojë targa për t’i thënë dikujt ekstremist. Si do ta bësh dialogun që e pate premtuar me ta pas këtij cilësimi? Me ekstremistin nuk flitet, ai izolohet, mbyllet.

Kaq kam thënë, gjithçka tjetër është mveshje.

/GazetaSinjali/