image Molliqaj i kundërpërgjigjet zëdhënësit të KEDS-it

Politikë

Molliqaj i kundërpërgjigjet zëdhënësit të KEDS-it

news image

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj i është kundërpërgjigjur zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala i cili tha sot se pretendimet e Molliqajt janë absurde derisa ka shtuar se me deklarimet e Molliqajt po merret edhe zyra ligjore e KEDS-it.

Lidhur me këtë rast Molliqaj tha se Buzhala vetëm sa e shton dyshimin lidhur me deklarimet e tij se KEDS ka ndikuar në rënien e blloqeve A3 dhe A5.

“Reagimi i z. Buzhala, vetëm sa shton dyshimin. Në vend se menaxhmenti i ri KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente, t’i lënë vend hetimit, si dhe organet hetuese të drejtësisë të nisin punën një orë e më parë, kanë zgjedhur sulmin”, ka shkruar Molliqaj në një postim në “Facebook”.

Ai tha se kjo qasje e KEDS-it vetëm sa u jep të drejtë, teksa paralajmëroi rritje të aksioneve dhe organizimeve të PSD-së.

Në ndërkohë, Dardan Molliqaj, ka thënë se kanë informacione nga burimet brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), se rënia e blloqeve A3 dhe A5 është bërë qëllimisht.

“Në bazë të burimeve tona brena KEK-ut janë duke u zhvilluar tri problematika të theksuara që e rëndojnë edhe më tutje sistemin e energjisë në Kosovë. E para tashmë ka ndodhur. Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të Bllokut A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e Bllokut A3 dhe A5  brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë ai.

Postimi i tij i plotë:

Sot, pas konferencës që PSD ka mbajtur, lidhur me kolapsimin e KEDS, përmes pyetjeve dhe dyshimeve të ngritura, siç duket ka prekur thelbin e disa e problemeve të grumbulluara në këtë kompani dhe relacionin e saj me Qeverinë.

Reagimi i z. Buzhala, vetëm sa shton dyshimin. Në vend se menaxhmenti i ri KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente, t’i lënë vend hetimit, si dhe organet hetuese të drejtësisë të nisin punën një orë e më parë, kanë zgjedhur sulmin.

KEDS është e mbyllur ndaj qytetarit prej të cilit përfiton milionat. Duke kërcënuar në konferencë dhe duke i ruajtur objektet e KEDS me polici, nuk mund ta pengojnë e as heshtin kundërshtimin qytetar.

Stili i SLAPP padive që kanë për qëllim kërcënimin e atyre që ngrisin zërin kundër eksploatimit nuk mund të zgjas. Efektit publik dhe menaxhimit te imazhit po i vie fundi.

Kjo qasje vetëm sa na jep të drejtë. Aksionet dhe organizimi do të rriten. Padrejtësia nuk mund të normalizohet. Terri ndonjëherë ndriçon të vërtetën./GazetaSinjali/